Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Author: bashkia

Nis falja e detyrimeve vendore/ Kategoritë që përfitojnë dhe afatet.

Bashkia Kurbin njofton të gjithë qytetarët e interesuar se me daljen e Udhëzimit të Ministrisë së Financave ka nisur zbatimi i Ligjit nr. 86/2025 për faljen dhe lehtësimin e detyrimeve edhe të taksave dhe tarifave vendore.

Bashkia Kurbin, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave vendore njofton qytetarët pronarë të njësive tregtare dhe bizneset, që rezultojnë debitorë për detyrimet vendore se mund të përfitojnë nga fshirja e plotë ose e pjesshme e detyrimeve, si dhe nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, sipas periudhës së krijimit të tyre.

Sipas përcaktimeve të ligjit, detyrimet që i përkasin periudhës deri më 31 Dhjetor 2014 fshihen plotësisht, pa kryer asnjë pagesë dhe pa pasur nevojë për asnjë veprim nga ana e taksapaguesit vendor.

Për detyrimet e periudhës 1 Janar 2015 – 31 Dhjetor 2019, parashikohen dy alternativa për përfitim:

  • pagesa e 50% të principalit deri më 30 Qershor 2026, me faljen e pjesës tjetër,
  • ose pagesa e 75% të principalit deri më 31 Dhjetor 2026, me faljen e pjesës së mbetur.

Në të dy rastet falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.

Gjithashtu, në rastet kur principali është paguar më herët dhe kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa, edhe këto detyrime falen.

Për detyrimet e krijuara në periudhën 1 Janar 2020 – 31 Dhjetor 2024 kërkohet pagesa e plotë e principalit deri më 31 Dhjetor 2026.

Pas kryerjes së pagesës, falen gjobat dhe kamatëvonesat.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që, gjatë kryerjes së pagesës, të specifikojnë me patjetër në përshkrim se pagesa po realizohet në bazë të ligjit të faljes.

Për çdo paqartësi ose informacion të mëtejshëm, taksapaguesit kurbinas mund të shkruajnë në adresën elektronike bashkia.kurbin@bashkiakurbin.gov.al ose të paraqiten pranë sporteleve fizike të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore pranë bashkisë Lushnjë.

Nga kjo falje përjashtohen subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetim penal për vepra në fushën tatimore dhe doganore.

NJOFTIM “PËR ORGANIZIMIN E DËGJESËS PUBLIKE PËR PAKETËN E MALEVE”

Njoftojmë qytetarët, bizneset dhe të gjitha palët e interesuara se, në zbatim të ligjit nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”, është miratuar shpallja e zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e Bashkisë Kurbin, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 299, datë 24.04.2026, “Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Kurbin”.

Zonat e shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore:

Zona nr. 1
Fshatrat: Gjorm, Zhejë, Shëmri, Shpërthet.

Zona nr. 2
Fshatrat: Ferr-Shkopet, Shkopet.

Zona nr. 3
Fshatrat: Selitë, Delbnisht, Mal i Bardhë i Sipërm, Mal Milot, Skuraj, Gallatë, Gërnac, Vinjoll.

Qëllimi i dëgjesave publike është informimi dhe diskutimi mbi procedurat e aplikimit për Paketën e Maleve.


Kalendar i dëgjesave publike

Në Njësinë Administrative Milot

Për fshatrat: Ferr-Shkopet, Shkopet, Skuraj, Gallatë, Vinjoll, Gërnac
📅 Data: 18 Maj 2026
🕓 Ora: 16:00
📍 Vendndodhja: Skuraj (Karburant / Bar-Caffe “Bolv Oil”)

Për fshatrat: Selitë, Delbnisht, Mal i Bardhë i Sipërm, Mal Milot
📅 Data: 19 Maj 2026
🕓 Ora: 16:00
📍 Vendndodhja: Laç (Pranë Bashkisë Kurbin)


Në Njësinë Administrative Mamurras

Për fshatrat: Gjorm, Zhejë, Shëmri, Shpërthet
📅 Data: 20 Maj 2026
🕓 Ora: 16:00
📍 Vendndodhja: Gjorm (Shkolla 9-vjeçare “Dan Bajrami”)


Jeni të gjithë të mirëpritur!

NJOFTIM ZYRTAR

Për shpalljen e zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Kurbin.

Bashkia Kurbin informon qytetarët, bizneset dhe të gjitha palët e interesuara se në zbatim të ligjit nr.20/2025 “Për Paketën e Maleve”, të udhëzimit të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor nr.2, datë 15.10.2025, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për dokumentacionin dhe procedurën e shpalljes së zonës prioritare të zhvillimit në territoret e bashkive”, është miratuar shpallja e zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e Bashkisë Kurbin me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 299, datë 24.04.2026 “Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Kurbin”.

Zonat e shpallura me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e Bashkisë Kurbin janë:

a) Zona nr.1, fshatrat Gjorm, Zhejë, Shëmri, Shpërthet, zonat kadastrale 2120, 3924, 3336, 3412, 3295 dhe 1768, pjesë të njësisë administrative Mamurras, Bashkia Kurbin, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 1918 (një mijë e nëntëqind e tetëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;

b) Zona nr.2, fshatrat Ferr-Shkopet, Shkopet, zona kadastrale 3391, pjesë e njësisë administrative Milot, Bashkia Kurbin, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 487 (katërqind e tetëdhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;

c) Zona nr.3, fshatrat Selitë, Delbnisht, Mal i Bardhë i Sipërm, Mal Milot, Skuraj, Gallatë, Gernac, Vinjoll, zonat kadastrale 2365, 1458, 2580, 3295,  3780, 3469, pjesë të njësisë administrative Milot, Bashkia Kurbin,  Qarku Lezhë, me sipërfaqe 8003 (tetë mijë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.

 Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:

a) të zhvillimit ekonomik;

b) të zhvillimit industrial;

c) të zhvillimit turistik.

Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Bashkëlidhur gjeni Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 299, datë 24.04.2026, VENDIM Nr.299, datë 24.4.2026

Bashkia Kurbin fton qytetarët, bizneset dhe të gjitha palët e interesuara të paraqesin aplikimet në portalin online e-albania, për njohjen si posedues jopronarë, të shoqëruar me plan rilevimi të sipërfaqes së poseduar, të hartuar nga një ekspert gjeodet i liçensuar.

Poseduesi jopronarë bashkangjitur kërkesës paraqet edhe dokumentacion provues për posedim, nëse ka të tillë, si vijon:

  1. dokumentacion tatimor për aktivitet ekonomik mbi pronën;
  2. fatura të shërbimeve të lidhura me pronën;
  3. deklarata/dëshmi nga banorët dhe autoritetet vendore që konfirmojnë përdorimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë, prej të paktën 10 vitesh të pronës;
  4. fotografi, ortofoto ose prova të tjera materiale që vërtetojnë posedimin;
  5. dokumentacionin që vërteton lidhjen e tij me pasurinë.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin!