Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

Mbi organizimin dhe funksionimin e Bashkisë Kurbin

Mbi organizimin dhe funksionimin e Bashkisë Kurbin
Sipas ligjit Nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” Bashkia është njësi bazë e vetëqeverisjes vendore, e cila përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh. Bashkitë, shtrirja territoriale, emri dhe qyteti qendër i saj përcaktohen me ligj. Bashkia përbëhet nga disa njësi administrative, sipas lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale. Njësitë administrative përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat, shtrirja territoriale, emri i qyteteve dhe fshatrave, pjesë e çdo njësie administrative, përcaktohen me ligj

Ndarja administrativo-territoriale
Njësitë administrative dhe nën-ndarjet e tyre

Njësitë administrative përbërëse

Emri i Njësisë Qytetet dhe fshatrat në përbërje të tyre
Laç Qyteti Laç, Fshatrat; Laç (Sanxhak)
Mamurras Qyteti Mamurras, Fshatrat; Fushë-Mamurras, Shpërthet, Shëmri, Zhejë, Katund i Ri, Gjorm, Drojë
Milot Qyteti Milot, Fshatrat; Skuraj, Mal Milot, Fush Milot, Mal Bardhë, Mal Bardhe I siperm, Gallatë, Selitë, Gernac, Vinjoll, Shullaz, Prozhmë, Delbnisht, Ferr-Shkopet, Shkopet
Fushë-Kuqe Fshatrat; Fushë – Kuqe, Adriatik, Patok, Gorre, Gurëz

Pasaporta e Bashkisë Kurbin
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Kurbinit shtrihet në Shqipërinë qendrore dhe kufizohet në veri me bashkitë Lezhë dhe Mirditë, në lindje me bashkinë Mat, në jug me bashkitë Krujë dhe Durrës dhe në perëndim me Detin Adriatik.

Popullsia: Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Kurbin ka 46,291 banorë, ndërsa sipas regjistrit civil ka 74,000 banorë. Me një sipërfaqe prej 269.03 kilometrash katrorë, densiteti i popullsisë sipas të dhënave të Censusit 2011 është 172 banorë km2, ndërsa sipas Regjistrit Civil, densiteti është 271 banorë km2.

Të dhëna të tjera: Bashkia e re Kurbin shtrihet në një zonë bujqësore dhe pjesërisht malore në Shqipërinë qendrore dhe ka një vijë bregdetare, që shtrihet në rezervatin natyror Patok-Fushë Kuqe.

Kurbini gjendet përgjatë aksit rrugor dhe hekurudhor veri-jug, gjë që ka sjellë edhe zhvillimin e shërbimeve të transportit. Qyteti i Laçit, i cili ka një të tretën e popullsisë së bashkisë së re, është një zonë ish-industriale dhe është krijuar si qytet përreth fabrikave të Superfosfatit dhe të pasurimit të bakrit, që të dyja të mbyllura shumë kohë më parë. Fasoni ka zëvendësuar këto fabrika si burimi kryesor i punësimit në qytet. Megjithatë, sot funksionon vetëm një fabrikë të prodhimit të këpucëve, ku janë të punësuar 100 gra. Papunësia është tepër e lartë.
Pjesa tjetër e bashkisë është zonë bujqësore, ndërsa me rëndësi konsiderohet Laguna e Patokut, e cila është zhvilluar si zonë peshkimi dhe qendër e turizmit ditor.

Bimësia është e shpërndarë sipas kushteve klimatike, duke formuar zonën e shkurreve mesdhetare (zhvillohen shkurret, kryesisht shqopa e mareja), e dushqeve (lisi, gështenja), e ahishteve (ahu) dhe e halorëve (pisha). Duke u nisur sipas vetive të përdorimit në zonë rriten edhe bimët mjeksore e aromatike, që përmbajnë lëndë aktive dhe esenca.