NJOFTIM ZYRTAR
Për shpalljen e zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Kurbin.
Bashkia Kurbin informon qytetarët, bizneset dhe të gjitha palët e interesuara se në zbatim të ligjit nr.20/2025 “Për Paketën e Maleve”, të udhëzimit të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor nr.2, datë 15.10.2025, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për dokumentacionin dhe procedurën e shpalljes së zonës prioritare të zhvillimit në territoret e bashkive”, është miratuar shpallja e zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e Bashkisë Kurbin me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 299, datë 24.04.2026 “Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Kurbin”.
Zonat e shpallura me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e Bashkisë Kurbin janë:
a) Zona nr.1, fshatrat Gjorm, Zhejë, Shëmri, Shpërthet, zonat kadastrale 2120, 3924, 3336, 3412, 3295 dhe 1768, pjesë të njësisë administrative Mamurras, Bashkia Kurbin, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 1918 (një mijë e nëntëqind e tetëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Ferr-Shkopet, Shkopet, zona kadastrale 3391, pjesë e njësisë administrative Milot, Bashkia Kurbin, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 487 (katërqind e tetëdhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshatrat Selitë, Delbnisht, Mal i Bardhë i Sipërm, Mal Milot, Skuraj, Gallatë, Gernac, Vinjoll, zonat kadastrale 2365, 1458, 2580, 3295, 3780, 3469, pjesë të njësisë administrative Milot, Bashkia Kurbin, Qarku Lezhë, me sipërfaqe 8003 (tetë mijë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Bashkëlidhur gjeni Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 299, datë 24.04.2026, VENDIM Nr.299, datë 24.4.2026
Bashkia Kurbin fton qytetarët, bizneset dhe të gjitha palët e interesuara të paraqesin aplikimet në portalin online e-albania, për njohjen si posedues jopronarë, të shoqëruar me plan rilevimi të sipërfaqes së poseduar, të hartuar nga një ekspert gjeodet i liçensuar.
Poseduesi jopronarë bashkangjitur kërkesës paraqet edhe dokumentacion provues për posedim, nëse ka të tillë, si vijon:
- dokumentacion tatimor për aktivitet ekonomik mbi pronën;
- fatura të shërbimeve të lidhura me pronën;
- deklarata/dëshmi nga banorët dhe autoritetet vendore që konfirmojnë përdorimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë, prej të paktën 10 vitesh të pronës;
- fotografi, ortofoto ose prova të tjera materiale që vërtetojnë posedimin;
- dokumentacionin që vërteton lidhjen e tij me pasurinë.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin!